Opozita gjermane thirrje për bashkëpunim më të ngushtë me Türkiyen për të siguruar paqen në Lindjen e Mesme
“Rusia ishte një fuqi që mbronte Sirinë dhe regjimin e saj. Dhe Türkiye është bërë më e fortë dhe tani do të luajë një rol edhe më të madh në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme”, tha Friedrich Merz
Berlin
Kreu i partisë opozitare gjermane Bashkimi Kristian-Demokratik (CDU), Friedrich Merz, i kërkoi Evropës të forcojë lidhjet e saj me Türkiyen në mënyrë që të ndihmojë në vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme, raporton Anadolu.
Duke folur në një intervistë me transmetuesin gjerman RTL, Merz nënvizoi ndikimin në rritje të Türkiyes në rajon dhe rëndësinë e saj në vazhdën e ndryshimit të dinamikës gjeopolitike.
Ai theksoi dobësimin e ndikimit rus pas zvogëlimit të rolit në Siri.
“Rusia ishte një fuqi që mbronte Sirinë dhe regjimin e saj. Dhe Türkiye është bërë më e fortë dhe tani do të luajë një rol edhe më të madh në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme”, vuri në dukje ai.
Merz, i cili është gjithashtu kandidat i CDU-së për kancelar në zgjedhjet e parakohshme të planifikuara për 23 shkurt, theksoi rëndësinë kritike të angazhimit me Türkiyen.
“Për të vendosur paqen politike në këtë rajon, tani duhet të punojmë shumë më ngushtë me Türkiyen”, tha ai, duke shtuar se nxitja e bashkëpunimit me Ankaranë është “një detyrë e politikës gjermane dhe evropiane”.
Megjithatë, ai paralajmëroi kundër konkluzioneve të parakohshme në lidhje me situatën e Sirisë, duke kërkuar durim për të përcaktuar nëse lufta civile ka përfunduar vërtet.
Më 27 nëntor, forcat e opozitës siriane nisën një ofensivë të shpejtë 10-ditore, duke pushtuar qytetet kryesore dhe më pas më tetë dhjetor kryeqytetin Damaskun. Përparimi i shpejtë, i mbështetur nga njësitë ushtarake që dezertuan, çoi në rënien e regjimit të Asadit pas 13 vitesh luftimeve.
Asad dhe familja e tij ikën në Moskë, ku Rusia u dha atyre azil./AA/