Ish-kandidati për kryetar të Haraçinës braktis Taravarin: Ky nuk është ndryshimi për të cilin u angazhuam!
Naim Sinani Ish-kandidati për kryetar të Komunës së Haraçinës përmes një njoftimi në faqen e tij në Facebook ka njoftuar largimin nga Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit.
Sinani shkruan se lakmia për pushtet ka ndryshuar shumë miq e bashkëpartiakë të tij, ndaj ndihet dhe i revoltuar me situatën në të cilën ndodhen shqiptarët me këtë qeverisje.
Sinani shton se kanë dështuar idealet politike për të cilat është angazhuar 20 vite si opozitë, sepse siç thotë ai ky nuk është ndryshimi për të cilin e angazhuan.
Reagimi i plotë:
KY NUK ËSHTË NDRYSHIMI PËR TË CILIN U ANGAZHUAM PREJ VITESH PRANDAJ PO LARGOHEM NGA ASH E TARAVARIT
Nëse politikën dikush e kupton si gënjeshtër, manipulim, e mashtrim, madje edhe mes miqsh, atëherë unë nuk dua të jem bashk me ta në politikë, prandaj jap dorëheqje si anëtari i Kuvendit të ASH-së dhe prej sod nuk do të jem as anëtar i thjeshtë i këtij subjekti politik. Nuk dëshiroj të polemizoj me njerëz me të cilët kam bashkëpunuar me vite, apo edhe i kam llogaritur miq të shtëpisë, prandaj në këtë temë nuk dua të flas shum dhe nuk po i përmendi emrat e disa “miqve” që i ndryshoi e tjetërsoi plotësisht karrigeja dhe pushteti. Kjo le të mbetet të rëndojë në ndërgjegjen e tyre, ndërsa mua më duhet të sqaroj se jam i detyruar të jap dorëheqje publike, jo me synimin që ta dëmtoj dikë në ASH, sepse unë e di mir se tani kur janë në pushtet, Arben Taravari dhe “miqtë” e mi të dikurshëm kanë bërë shum “miq”, pasi janë bërë “miq” edhe me ata nga të cilët unë dhe aktivistë të tjerë dikur i mbronim, kur ata i kritikonin, i shanin e ofendonin. Këtë dorëheqje publike po e bëj me të vetmin qëllim, që tu kërkojë falje publike të gjithë familjarëve dhe miqve të mi, të cilët për shkak të angazhimit tim opozitar, nuk kanë mundur të punësohen apo të realizojnë ndonjë nevojë dhe synim personal që mvarej nga pushteti. Fatkeqësisht edhe kur menduam se ndryshimi erdhi, e kur prisnim që bashk me ndryshimin të fillojë avancimi i pozitës së shqiptarëve, si dhe të respektohen premtimet, parimet, vlerat dhe meritokracia, aktualisht siç thot populli “nuk po dihet se sa po shkon pasuli”. Në këto rrethana, nuk më mbetet gjë tjetër përveçse të konstatoj se, ky nuk është ndryshimi për të cilin ishim angazhuar prej vitesh, prandaj unë po largohem nga ky taborr, me keqardhje se na dështuan idealet për të cilat ishim angazhuar rreth 20 vite në opozitë, e që kishin të bënin me barazinë e plotë juridiko-kushtetuese të shqiptarëve në RMV. /tvklan.mk