Kush është komandanti i ri i KFOR-it?
Gjeneralmajor i Ushtrisë Italiane Enrico Barduani ka marrë pozitën e komandantit të misionit të Aleancës Veriatlantike në Kosovë – KFOR nga komandanti i mëparshëm, gjeneralmajor i ushtrisë turke Ozkan Ulutash.
Në ceremoninë në selinë e KFOR-it në kampin Film City në Prishtinë, në dorëzim të detyrës së komandantit morën pjesë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey M. Hovenier.
Njohës i rajonit të Ballkanit
Barduani është komandanti i 29-të i KFOR-it që nga viti 1999 dhe gjenerali i 14-të italian që kryeson misionin e NATO-s në Kosovë.
Bëhet me dije se ai ka pasur një karrierë të gjatë në Itali dhe jashtë saj. Pozicioni i tij i fundit ishte në kabinetin e ministrit italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto, ku mbante postin e shefit të politikës së mbrojtjes.
Radio Evropa e Lirë (RSE) raporton se Barduanu konsiderohet një ekspert i mirë i rajonit të Ballkanit.
Një brez pa luftë
Osmani tha gjatë ceremonisë se populli dhe institucionet e Kosovës do të punojnë ngushtë me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë për qytetarët e tyre.
“Fëmijët tanë janë brezi i parë në historinë e kombit tonë që nuk njeh luftë. Të punojmë së bashku që të mbetet kështu”, tha presidenti i Kosovës.
Aktualisht, KFOR-i ka më shumë se 4,400 ushtarë në Kosovë dhe NATO ka rritur praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veri ku jeton shumica serbe, sipas RSE. /tesheshi.com/