Metodat e thirrjes së besimtarit nga familja e Faraonit
Me fjalën “davet” nënkuptohet veprimtaria dhe përpjekjet e ndryshme dhe të shumta që njeriu i cili ka një ideal mundohet t’ia përcjellë atë të tjerëve. Po kështu është edhe çështja e thirrjes së njerëzve për tek feja islame. Muslimani e ka për detyrë të përpiqet që t’ia përcjellë njerëzve parimet e besimit, ligjit dhe moralit islam. Ai duhet t’i nxisë ata të ndjekin dhe të zbatojnë rrugën e drejtë që është rruga e shpëtimit në Dynja dhe Ahiret.
Thirrja islame është një thirrje konstruktive e përbërë nga objektivi, orvatja dhe metoda. Përsa i përket objektivit ajo ka si për qëllim përcjelljen e mesazhit hyjnor tek të gjithë njerëzit pa përjashtim. Përsa i përket orvatjes ajo duhet të kryhet me të gjitha mjetet e duhura, ç’ka i mundëson thirrësit në rrugë të Allahut të jetë i aftë për të përcjellur mesazhin hyjnor. E përsa i përket metodës ajo nënkupton përdorimin e logjikës dhe emocioneve të cilat kanë ndikim pozitiv tek njerëzit.
Në Kuranin Fisnik, Allahu i Madhëruar na ka treguar se thirrja në rrugë të Allahut është vepra më fisnike: “E kush flet më bukur se ai që fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: Unë, me të vërtetë jam musliman.”[1] Allahu i Madhëruar e ka lëvduar atë person që i thërret njerëzit në rrugë të Allahut, rrugë të cilën e kanë praktikuar në fillim të Dërguarit e Tij dhe që e kanë pasuar shumë të tjerë pas tyre: “O profet. Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës së lajmit të mirë dhe paralajmërues, njëkohësisht të kemi çuar si thirrës që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues.”[2] “Thuaj: Kjo është rruga ime që ftoj për tek Allahu me largpamësi, unë dhe kush më ndjek mua. I lëvduar qoftë Allahu dhe unë nuk jam prej idhujtarëve.”[3] Kurse Profeti (a.s) ka thënë: “Kush thërret në rrugën e udhëzimit, ai do të fitojë edhe shpërblimin e atyre që e pasojnë udhëzimin pa ju pakësuar atyre asgjë nga shpërblimi i tyre.”[4]
Kurani dhe metodat e thirrjes islame:
Allahu i Madhëruar na ka treguar një sërë metodash të thirrjes së njerëzve për tek Zoti. Ndoshta metoda që ka përdorur besimtari nga familja e Faraonit është metoda më e vlefshme në këtë sferë. Allahu i Madhëruar thotë: “Por një njeri besimtar nga të afërmit e Faraonit, i cili e fshihte besimin e vet, tha: Vallë do të vrisni një njeri vetëm se thotë: Allahu është Zoti im, ndërkohë që ai ju ka sjellë shenja të qarta nga Zoti juaj. Nëse është gënjeshtar, atij i përket dënimi i gënjeshtrës së vet, e nëse është i drejtë, atëherë juve do t’ju godasë diçka prej asaj me të cilën ju kërcënohet ai. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron me të këqija dhe është gënjeshtar… Ju së shpejti do ta kujtoni atë që po ju them. Unë çështjen time ia lë Allahut, sepse Ai i sheh vërtet robërit e Vet.”[5]
Teksa lexojmë ajetet kuranore – në suren Gafir – do të hasim në një sërë metodash dhe formash të përdorura nga besimtari i familjes së Faraonit në fushën e thirrjes së njerëzve në besim:
Metoda e parë: Përzgjedhja e kohës së duhur për t’i thirrur njerëzit në besim. Në fillim, besimtari nga familja e Faraonit e ka pasë fshehur besimin e tij, por ai e shfaq atë në momentin e duhur. Dhe i tillë duhet të jetë thirrësi në rrugë të Allahut. Po kështu edhe i Dërguari i Allahut (a.s) në tri vitet e para të profetësisë i thirri njerëzit në besimi në mënyrë të fshehtë dhe më pas në momentin e duhur filloi t’i thërriste njerëzit haptazi.
Metoda e dytë: Besimtari nga familja e Faraonit dialogon me njerëzit dhe i thërret ata tek logjika e shëndoshë me qëllim që ata të largohen nga besimi i shtrembërt. Në fillim ai i drejtohet atyre duke thënë: “Vallë do të vrisni një njeri vetëm se thotë: Allahu është Zoti im”
Metoda e tretë: Pastaj ai iu kujton atyre mirëistë dhe begatitë që Allahu ju kishte dhuruar dhe i tillë duhet të jetë ftuesi në rrugë të Allahut, ai duhet t’ia kujtojë vazhdimisht njerëzve mirësitë dhe begatitë e Allahut. “O populli im, sot pushteti është i juaji në vend, po kush do të na mbrojë prej dënimit të Allahut nëse ai na përfshin?”[6]
Metoda e katërt: Kur besimtari i familjes së Faraonit vuri re se metoda e përmendjes së mirësive dhe begative të Allahut nuk bëri dobi, përdori një metodë tjetër duke iu kujtuar atyre se çfarë ka ndodhur me popujt e mëparshëm: “O populli im, unë kam frikë për ju, se po iu gjen si i gjeti popujt e mëparshëm, si rasti i popullit të Nuhut, të Adit, Themudit dhe të atyre që ishin pas atyre. Allahu nuk bën padrejtësi ndaj robërve. O populli im, unë kam frikë për ju Ditën e Britmës, Ditën kur nga frika ktheheni të ikni, e nuk ka kush ta prapësojë prej jush dënimin e Allahut. Atë që Allahu e lë të humbur, për të nuk ka ndonjë që e drejton.”[7]
Metoda e pestë: Besimtari nga familja e Faraonit e thirri popullin e tij që të shihte me syrin e realitetin jetën e kësaj bote dhe të shpresonte tek Allahut në botën tjetër: “O populli im, ejani pas meje, e unë t’ju udhëzoj në rrugë të drejtë. O populli im, kjo jetë e kësaj bote, nuk është gjë tjetër vetëm se një përjetim i përkohshëm, ndërsa bota tjetër është ajo e përhershmja. Kush bën ndonjë vepër të keqe, ndëshkohet vetëm për aq sa është ajo, e kush bën ndonjë vepër të mirë, qoftë mashkull a femër, por duke qenë besimtar, të tillët hyjnë në Xhenet dhe aty shpëblehen pa masë.”[8]
Tek besimtari i familjes së Faraonit, ne vërejmë qartë një cilësi madhështore: ai kërkon mbështjetje dhe strehim tek Allahu i Lartësuar. I tillë duhet të jetë edhe ftuesi i cili i thërret njerëzit tek feja e Allahut: “Juve do t’ju vijë ndërmend ç’ka po ju them, e çështjen time ia besoj Allahut, vërtet, Allahu i mbikqyr robërit.”[9]
Kështu pra thirrja e njerëzve në rrugë të Allahut është vepra më e dashur tek Allahu. Thirrja në rrugë të Allahut ka qenë misioni i Profetëve, njerëzve të mirë të cilët Allahu i ka përmendur në Kuranin Fisnik, i sahabëve, tabi’iniëve dhe të gjithë ftuesve të umetit musliman. Ai i cili dëshiron t’i thërrasë njerëzit në rrugë të Allahut duhet të ketë parasysh që të zgjedhë kohën e duhur se kur duhet t’i flasë njerëzve në rrugë të Allahut, të dialogojë me njerëzit duke i ftuar ata tek logjika e shëndoshë, t’i kujtojë atyre mirësitë dhe begatitë e Allahut, t’i kujtojë atyre historinë e të parëve, të përdorë metodën e motivimit dhe qortimit dhe mbi të gjitha duhet të mbështetet tek Allahu, ashtu sikur bëri besimtari nga familja e Faraonit.
Autor: Muhamed Zejd
Përshtati: Elton Harxhi
[1] – Sure Fussilet: 33.
[2] – Sure Ahzab: 45 – 46.
[3] – Sure Jusuf: 108.
[4] – Muslimi (2674.)
[5] – Sure Gafir: 28, 44.
[6] – Sure Gafir: 29.
[7] – Sure Gafir: 30 – 33.
[8] – Sure Gafir: 38 – 40.
[9] – Sure Gafir: 44.