Shqipëria tjetër në Pogradec, jo ajo e kryeministrit…
Kryeministri Rama nuk e kupton apo nuk do ta kuptojë se reagimi i publikut ndaj ngjarjes së rëndë të Pogradecit nuk ka të bëjë me spekulime mediatike qëllimkëqija ndaj qeverisjes së tij; ato janë shfrime krejt të logjikshme të njerëzve të thjeshtë që janë velur nga një lloj propagande në trajtë bombardimi psiqik, i cili tenton t’u diktojë me pahir një Shqipëri tjetër, atë që vërtet ka një ndryshim sipërfaqësor në planin infrastrukturor dhe estetik, por që është dhe më e rrënuar në planin substancial, atë shoqëror.
Dhe ndaj, në raste të tilla, ku rrugaçëria e rrugës me trajtë krimi vret, paçka pasaktësive në lajmet e dhëna furishëm, pafajësisht apo me keqdashje, vjen rasti ku njeriu i thjeshtë plas pasi nuk duron dot. Plas pasi akumulon e akumulon marraz nga padrejtësitë e shumta shoqërore, të çdo lloji, ku në rend të parë është fuqizimi i krimit në çdo pore të jetës.
Në 30 e kusur vite postkomunizëm, nuk ka patur tjetër periudhë si e tanishmja ku krimi të jetë aq i kapardisur dhe kërcënues, i çdo forme, dhe ku padrejtësitë shoqërore të jenë kaq të hapura e të dhunshme.
Dhe nëse nuk lexohet kështu reagimi i opinionit për ngjarjen e Pogradecit, nuk ka gjasa që diç të ndryshojë.
Shqipëria do zhvillohet – ka thënë dikush në 90-ën, madje dhe ngjashëm si Europa në disa drejtime – por më shumë se një Palermo nuk bëhet. Pra, një vend ku mafioziteti është profil shoqëror.
Pra, rrugë të shtruara, cilësi të përmisuar urbane, fluks ndërtimesh, madje dhe turizëm, ka dhe në Siçili, por çështja është kur mafia nuk do ekzistojë më aty.
Pak a shumë, kjo është çështja dhe ky është debati në Shqipërinë e sotme.
Është ky një hendek i madh që shfaqet te një Shqipëri më e mirë infrastrukturore – hyrja për në Pogradec nga Tirana është vërtet e pakrahasueshme me të djeshmen mizerabël- por në qytet brenda krimi bën ligjin. Dhe ky është dështimi i madh i Ramës, kjo është ajo që njeriu i thjeshtë nuk duron dot dhe vjen një moment e plas(siç). /tesheshi.com/